Teuta mund të kthehej e lumtur nga Irlanda nëse do të kishte evituar atë gol në minutën e parë shtesë në stadiumin “Tallaght”. Megjithatë, humbja minimale 1-0 ndaj Shamrok Rovers nuk është se i tremb durrsakët për përballjen e kthimit, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” më 12 gusht, ora 20:00.Menjëherë pas ndeshjes së djeshme foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori teknik i Teutës, Sulejman Starova. Me zërin e ngjirur nga britmat gjatë lojës, duke dhënë udhëzime për ekipin, “Bobi” theksoi se ka besim të madh te përmbysja e rezultatit. “Mëkat që e pësuam golin në atë minutë, sepse ishim shumë afër barazimit.
Nëse do të përfundonte 0-0, mendoj se ishte një rezultat që e meritonim për mënyrën se si rrodhi loja. Të paktën me barazimin do të ishim të kënaqur, por nuk ishte e thënë ta mbanim. Megjithatë, kemi shpresa për ndeshjen e kthimit në Elbasan”, ka thënë fillimisht Starova. I pyetur nëse Teuta duhet të kishte guxuar më shumë në këtë transfertë dhe a ishte Shamroku kundërshtari që kishte parashikuar përpara fillimit të takimit, “Bobi” dha këtë përgjigje:
“E kishim studiuar ekipin irlandez. Unë mendoj se janë skuadër e fortë, po kështu është edhe Teuta. Nuk e kishim mbivlerësuar, por duhet të kemi parasysh se ata janë në kulmin e sezonit. Në përgjithësi luajtëm mirë dhe ishim afër barazimit, që ishte një nga objektivat tanë në këtë ndeshje të parë. Por, e përsëris, jam besimplotë se do të fitojmë në ndeshjen e kthimit. Kemi shumë shpresa për të kaluar këtë kundërshtar dhe kapur fazën ‘play off’. Përballë kemi një ekip të thyeshëm dhe duhet të besojmë. Keqardhja e vetme është që e pësuam në shtesë, atëherë kur nuk e mendonim. E meritonim barazimin”.
Në fund, drejtori i Teutës komentoi edhe rëndësinë që ka në skuadër mesfushori Albano Aleksi, i cili mungoi dje në Irlandë për shkak kartonësh. “Ishte një mungesë me shumë peshë, por me rikthimin e Aleksit dhe një gjendje më të mirë të Plakut, që vjen pas dëmtimit, kemi shpresa të mëdha për të kthyer rezultatin në Elbasan”, përfundoi Starova, i cili prej një viti është emëruar drejtor teknik.





