Policia Kufitare e Kapshticës ka goditur një rast të tentativës së trafikimit të narkotikëve nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.
Përfundon në pranga 48-vjeçari Festim Qazolli, si dhe sekuestrohet 5, 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 5 doza kokainë,20 doza kanabis dhe 1 dorezë metalike.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, gjatë patrullimit të tyre në kufi të gjelbër, në afërsi të vendit të quajtur “Lugina e vogël” në fshatin Kapshticë, Devoll, kanë konstatuar në largësi dy shtetas, të cilëve ju kanë bërë me shenjë të ndalonin. Ata nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë, por u larguan me vrap në zonën e pyllëzuar, ku hodhën dy pako me peshë 5, 4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve të mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP-Korçë, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasit F. Q., 48 vjeç, banues në Korçë, pasi nga hetimet e kryera rezulton se 48-vjeçari, ka transportuar me mjetin tip “Benz”, nga Tirana në drejtim të “Luginës së vogël” këta dy shtetas së bashku me lëndën narkotike, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.





