Manuel Locatelli ka mbërritur në Torino dhe sot është paraqitur në J Medical, ku do të kryejë testet mjekësore para se të firmosë për Juventusin.Nuk mungojnë as tifozët, të cilët e presin përzemërsisht mesfushorin e kombëtares së Italisë që u shpall edhe kampion Europe në EURO 2020. 23-vjeçari do t’i kushtojë Juventusit 35 milionë euro, shumë kjo që edhe pse dihej prej kohësh, bën të lumtur tashmë drejtorin sportiv të torinezëve, Federiko Kerubini, i cili ka ditur të bindë emiljanët që këto para të paguhen në pesë këste të barabarta në pesë vitet e ardhshme.
Formula e afrimit të Lokatelit te Juventusi parashikon huazimin dyvjeçar me kosto prej 5 milionësh eurosh, të cilat do të derdhen me të firmosur lojtari, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet deri në vitin 2025. Blerja do të bëhet e detyrueshme sapo Juvja të marrë pikën e parë në fazën e dytë të sezonit të ardhshëm të Serisë A, 2022- 2023. Ndërkohë, për sa i përket futbollistit, akordi i tij financiar me bardhezinjtë ka qenë gjetur prej kohësh: 3 milionë euro neto në sezon, plus 1 milion bonus, për pesë vitet e ardhshme (skadenca 30 qershor 2026).





