E padëgjuar më parë, por Japonia ka emëruar ministrin për vetminë këtë muaj. Ky vendim erdhi pasi niveli i vetëvrasjeve në vend u rrit për herë të parë në 11 vjet gjatë pandemisë së Covid-19, raporton CNN.
Ministër për Vetminë është emëruar më 12 shkurt Tetsushi Sakamoto, i cili tha se kryeministri Yoshihide Suga e emëroi atë për të adresuar çështjet kombëtare “përfshirë çështjen e rritjes së shkallës së vetëvrasjes së grave gjatë pandemisë”.
“Suga më udhëzoi të shqyrtoj çështjen dhe të paraqes një strategji gjithëpërfshirëse, duke u koordinuar me ministrinë përkatëse. Shpresoj të kryej aktivitete për të parandaluar vetminë dhe izolimin shoqëror dhe për të mbrojtur lidhjet mes njerëzve”, shtoi Sakamoto.





