30-vjeçari nga Tepelena, që u aksidentua mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit të Beratit, ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Leonard Rrapi ishte duke shëtitur në qytetin e Beratit së bashku me miqtë e tij Abaz Kaballi, 60 vjeç, Astrit Veliu, 23 vjeç dhe Tahir Redhi, 30 vjeç, kur automjeti tip Benz me targa AA 021 MS humbi kontrrollin dhe hyri brenda një dyqani me pajisje elektro-shtëpiake në qendër të qytetit.
Miqtë nga Tepelena sapo ishin kthyer nga peligrinazhi në malin e Tomorrit dhe kishin vendosur në kthim të vizitonin edhe qytetin e Beratit.
Si pasojë e aksidentit të rëndë u plagosën 4 shtetasit nga Tepelena, njëri prej të cilëve ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, drejtuesi i mjetit Ergys Petro, 26 vjeç dhe pasagjeri i mjetit tip Benz që udhëtonte me Petron, Robert Sadikaj.
Të gjithë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që Ergys Petro është arrestuar nga policia. Petro mësohet se nuk kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit të rëndë që sipas policise u shkaktua si pasojë e shpejtësisë se madhe dhe parakalimit të gabuar.
Drejtuesi i mjetit është banor i lagjes “Kushtrim” në Berat dhe punonte si saldator. Burime nga miqtë e të njohurit e tij kanë deklaruar se kohët e fundit Petro kishte filluar të konsumonte lëndë narkotike.





