Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me Bashkinë Durrës në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit të Peshkimit kanë organizuar zhvillimin e festivalit “Blu European Festival” në qytetin bregdetar.

Ky aktivititet do të mbahet nga data 22 deri më 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit.

Në çeljen e këtij festivali ka marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cila theksoi se ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë.

Kryebashkiakja Sako tha se turizmi dhe industria e peshkimit janë motori ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt.

“Industria e peshkimit dhe turizmit në qytetin e Durrësit janë motori ekonomik, i cili mbështet ekonominë kryesore të qytetit.”, tha Sako ndërsa shtoi se “një rol shumë të rëndësishëm dhe hov zhvillimi kësaj industrie do t’i japë edhe porti i ri i cili do të fillojë ndërtimin.”

Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako deklaroi se ky festival synon të kthejë turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare.

“Qëllimi i këtij projekti është që të kemi një paketë turistike në këto vende dhe kjo paketë turistike të promovohet me të gjitha vlerat që ka, jo vetëm të industrisë së peshkimit.” 

Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi.