Ndonëse jemi pranë nisjes së vjeshtës, shumë familje që kanë zgjedhur që të pushojnë javët e para të muajit shtator, janë të interesuar që të dinë se si do të jetë moti për ditët në vijim.

Në një lidhje skype për “News24” meteorologia e MeteoAlb, Lajda Porja pohoi se këto ditë do të jenë ideale për pushime, ku temperaturat do të variojnë nga 29 deri në 31 gradë.

Po ashtu ajo theksoi se ulja e temperaturave ndihet kryesisht mëngjeseve, ku në disa zona termometri shkon deri në 16 gradë celsius.

“Siç e kemi vënë re ka pasur rënie të temperaturave që janë përjetuar gjatë gushtit. Mëngjesi i sotëm ka qenë i freskët. Maksimalja pritet të jetë deri në 30 gradë. Nuk kemi luajtje të ndjeshme të temperaturave. Deri në ditën e premte temperaturat të jene 31-32 gradë. Mëngjeset do të jenë të freskëta. Në pjesën e dytë të ditës do të kemi erë, duke nisur nga nesër, ndërsa deti do të jetë me dallgë. Meqë të mërkurën futemi në stinën e vjeshtës, temperaturat do të jenë deri në 31 gradë. Moti parashikohet që të jetë i qëndrueshëm. Nuk parashikohet që deri në fundjavë do të ketë reshje. Në vlerat 29-30 gradë, është formë ideale për të pushuar për të gjithë ata që kanë zgjedhur shtatorin”, tha Porja.