Gjatë 10 viteve të fundit, kërkesat për azil të fëmijëve nga Shqipëria, kanë ardhur duke u rritur, duke krijuar një gjeneratë të fëmijëve të vetmuar dhe të pambrojtur nga dhuna, shfrytëzimi, skallëria dhe krimi. Nisur nga kjo situatë e jashtëzakonshme, CRCA/ECPAT Shqipëri do t’i kërkojë Kuvendit të ri ngritjen urgjent të një Komisioni Hetimor Parlamentar për të evidentuar arsyet, shkaqet dhe përgjegjësit për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria!
Tiranë, 31 Gusht 2021 – Mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së 1 gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020). Shqipëria numëron gjithsejt në vitin 2021 rreth 656,441 fëmijë nën 18 vjeç. Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se rreth 10 përqind e popullsisë së fëmijëve është larguar nga Shqipëria brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore.
Të dhënat bëhen publike nga Eurostat-agjensia e statistikave të BE-së. Nuk ka asnjë të dhënë se cila është gjendja e këtyre fëmijëve dhe ku gjenden ata. Nga ana tjetër një largim kaq i konsiderueshëm paraqet një sërë rreziqesh ekononike, sociale dhe politike, si në planin afat-shkurtër ashtu edhe atë afat-gjatë të zhvillimit të vendit.
Nuk dihet se sa nga këta fëmijë e kanë përfituar të drejtën e azilit dhe sa prej tyre ju është refuzuar kjo e drejtë. Po sipas Eurostat, mbi 82 përqind e fëmijëve që kanë kërkuar azil janë nën moshën 14 vjeç. Rreth 45 përqind e fëmijëve të larguar janë vajza ndërsa 55% janë djem. Të gjitha këto të dhëna e bëjnë fenomenin e largimit të tyre edhe më shqetësues.
Numri më i madh i fëmijëve azil-kërkues i përket vitit 2015, me rreth 18 mijë fëmijë, ndërsa gjatë vitit 2020 mbi 1700 fëmijë aplikuan për azil për herë të parë në një vend të BE-së. Vendi më i preferuar nga fëmijët për të kërkuar azil është Franca, e ndjekur nga Gjermania dhe Belgjika.
Bashkimi Europian nuk ka një politikë të unifikuar përsa i përket azilit, ndaj qëndrimi i fëmijëve varet nga ligjet dhe politikat që zbaton secili vend anëtar. Kërkesat e fëmijëve që vijnë nga Shqipëria gjatë dhjetë-vjecarit të fundit, e rendisin vendin tonë në vend të 5-të, pas vendeve si: Afganistani, Siria, Iraku dhe Rusia.
Të gjitha këto të dhëna janë një “shuplakë e fortë” në fytyrën e çdo qeveritari dhe politikani në Shqipëri dhe një kambanë alarmi për shoqërinë tonë! Ato flasin për një situatë të pashpresë për mijëra fëmijë anëmbanë Shqipërisë, të cilët shohin si zgjidhje vetëm largimin nga vendi i tyre për një jetë më të mirë. Ato flasin për mungesën e investimeve për ushqimin, mirë-rritjen, arsimimin, argëtimin dhe shërbimet shoqërore për fëmijët që nuk kanë me çfarë të jetojnë!
Ato tregojnë historinë e dëshpëruar të mijëra fëmijëve e prindërve, të cilët mendojnë se shpëtimin nga mjerimi ku
jetojnë mund ta gjejnë edhe te trafikimi, skllavëria apo shfrytëzimi!
Pyetjet që me të drejtë ne shtrojmë sot publikisht për Qeverinë, institucionet e saj, partitë politike parlamentare, Kuvendin e Shqipërisë dhe shoqërinë tonë: Ku janë këta fëmijë? A janë të gjallë apo kanë vdekur? A janë skllavëruar ata për të shitur drogë apo kryer punë të paligjshme? A po ndjekin ata shkollën në një vend të BE-së apo janë duke lypur apo duke u shfrytëzuar seksualisht për të mbijetuar? Kush mban përgjegjësi për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria?
CRCA/ECPAT Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria dhe për faktin që askush nuk flet për këtë fenomen, sikur të mos ekzistonte! Është detyrë e Qeverisë, Kuvendit dhe Bashkive në të gjithë vendin, që ta marrin seriozisht këtë çështje dhe të gjejnë zgjidhje si në nivel vendor ashtu edhe në atë kombëtar!
Me hapjen e Kuvendit të ri të Shqipërisë pas pak ditësh, ne do të kërkojmë zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar gjendjen e këtyre fëmijëve, vendodhjen e tyre si dhe përgjegjësit për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria. Nga ana tjetër ne mendojmë se këto shifra janë një thirrje për Qeverinë e re, që do të formohet pas pak ditesh, për t’i kthyer përfundimisht sytë nga fëmijët! Vetëm investimet serioze në arsim, ushqimin dhe sigurinë e fëmijëve, argëtimin dhe shërbimet e mbrojtjes shoqërore, do të bënin të mundur që fëmijët të qendrojnë dhe investojnë për një jetë më të mirë në Shqipëri.