Policia spanjolle, autoritetet nga Gjermania dhe Shqipëria, me mbështetjen e EUROPOL, kanë kryer një mega-operacion kundër krimit të organizuar.
Në kuadër të këtij operacioni kanë përfunduar në pranga 107 persona, kryesisht shqiptarë, që dyshohet se janë pjesë e një bande kriminale të trafikut dhe kultivimit të lëndëve narkotike, si dhe sekuestrimi i një sasie droge.
Në kuadër të operacionit të koduar “DOBRA”, u kryen kontrolle në 51 ambiente në Madrid të Spanjës, nga të cilat u zbuluan 23 plantacione/shtëpi bari.
Po ashtu mësohet se u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.
Aksioni në fjalë u prezantua në një konferencë shtypi, nga komisari i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore të Policisë Kombëtare, Rafael Pérez Pérez, kreu i Divizionit të Hetimit Penal të Korpusit Mossos d’Esquadra, Ramón Chacón, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ardi Veliu.





