Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se grupi i rrezikshëm kriminal shqiptar që u godit në operacionin e përbashkët të koduar “DOBRA”, do të vijojë të hetohet edhe në Shqipëri.

Gjatë konferencës për shtyp në Madrid, Spanjë, Veliu paralajmëroi konfiskime pasurish që mund të jenë krijuar me përfitimet e këtij aktiviteti kriminal në krimin e organizuar në fushën e drogës.

“Ne s’do mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do vijojmë në vendin tonë duke identifikuar dhe investiguar të gjitha pronat që mund të kenë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë. Sepse duke goditur dhe në pjesën ekonomike i japim goditje shumë të fortë këtij grupi kriminal duke e paralizuar atë”, tha Veliu.

Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.