Policia e Elbasanit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, ku ka arrestuar një 23-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim bashkëautorin e tij.

“Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin:

E. M., 23 vjeç, banues në fshatin Gjonme, Elbasan.

Gjithashtu është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi D. B., 28 vjeç, banues në fshatin Valas, Elbasan.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në pyllin e fshatit Tregan, duke qarkulluar më një motoçikletë pa targë, që drejtohet pa leje drejtimi nga shtetasi E. M. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.”,- njofton policia.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B. u gjet një sasi municioni luftarak. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.