I moshuari i gjetur pa shenja jete në banesën e tij në lagjen nr.17 në Durrës është Bajram Cani, babai i biznesmenit të ndërtimit, Plarent Cani, i vrarë në 2 shtator 2013, në zonën e Plazhit, pranë pallatit që po ndërtonte.

78-vjeçari jetonte i vetëm në katin e dhjetë të një pallati në afërsi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit Durrës. Rreth 3 vite më parë, i moshuari kërkonte nga shteti zbardhjen e vrasjes së të birit dhe kapjen e autorëve.

Vrasja e biznesmenit të ndërtimit Plarent Cani

Ndërkohë, djali i tij 40-vjeçar, Plarent Cani u vra me katër plumba 2 në kokë, e dy në zemër, më 2 shtator 2013. Biznesmeni i ndërtimit, baba i tre fëmijëve të mitur, humbi gjatë një atentati të mirëorganizuar të tipit mafioz, rreth orës 08:30 të mëngjesit, në rrugën dytësore të plazhit të Durrësit tek stacioni hekurudhor, pak metra larg prej themeleve të një pallati që po ngrihej prej tij.

Policia e qytetit bregdetar bëri me dije se 2 persona të maskuar që lëviznin me motor e kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë biznesmenin në zonën e plazhit në Durrës dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

Në tetor 2018, në një intervistë për “DurrësLajm”, Bajram Cani kërkonte zbardhjen e vrasjes së djalit të tij, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur pa autor.

Nga ndërtimi i skenës së krimit, hetuesit ishin të bindur se kishin të bënin me një atentat të tipit mafioz dhe vrasja është bërë nga njerëz me pagesë.

Për hetuesit vrasësit mund të ishin me pagesë, lidhur nga ndërtimi i të gjthë skenës së krimit. Autorët e atentatit, e kanë ruajtur për disa ditë viktimën, kanë pritur me kujdesin më të madh, që në tavolinë të kishte sa më pak persona, për të mos shkaktuar viktima të tjera.

Precizioni i lartë i qitësit, i cili ka shtënë 4 herë, 2 herë në kokë e dy herë në zemër, tregon se autori ka qenë i stërvitur në përdorimin e armës. Pista kryesore e hetimet mësohet të jetë larje hesapesh, për shkak të së kaluarës së tij në shtetin italian.

Në 2007, Cani rezulton të jetë kthyer në Shqipëri për të themeluar firmën e ndërtimit “CaniConstrucion” e regjistruar si biznes pranë Qendrës Kombëtare të bizneseve më 21 gusht të 2008-ës. Vitet e fundit në Durrës punonte në sektorin e ndërtimit. Kishte mbaruar një pallat rreth 12 kate pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, ku edhe jetonte së bashku me familjen e tij.  

Sipas mediave italiane, Plarent Cani rezultonte i skeduar si person me precendentë penalë në shtetin fqinj,dhe për këtë arsye në vitin 2006 është arrestuar së bashku me një grup shqiptarësh për trafik heroine në shtetin italian. Këtij grupi i janë kapur rreth 100 kg heroinë në Bari.