Disa të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë mesditë në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të repartit të zjarrfikësve, ndërsa policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, makinat e përfshira në ngjarje janë larguar në drejtim të paditur.
Policia e Shkodrës jep detaje nga të shtënat me armë zjarri, të regjistruara pak minuta më parë drejt një makine.
Policia njofton se është qëlluar drejt një makine të drejtuar nga 30-vjeçari T. P., i cili fatmirësisht nuk ka marrë asnjë lëndim.
“Më datë 21.02.2021, rreth orës 11:50, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi T. P. 30 vjeç , banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër. Nga të shtënat nuk ka asnjë preson të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të DVP Shkodër dhe FNSh Shkodër ku janë vënë në ndjekje të autorëve. Njëkohësisht janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve të dyshuar.”– njofton policia.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, sekuestrimin e çdo prove që do shërbejë për identifikimin e autorëve.





