Një shqiptar i Kosovës ka rënë viktimë e një grabitjeje të armatosur në aksin Milot-Lezhë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 kur 27-vjeçari me banim në Korishë të Prizrenit ishte duke udhëtuar në këtë aks i shoqëruar edhe nga persona të tjerë, kur në ndjekje të tij janë vënë makinat e grabitësve.

Kanë qenë të paktën 6 grabitës të armatosur me kallashnikovë, në dy makina të pajisura edhe me drita si të policisë.

27-vjeçari nga Kosova ka kuptuar se diçka nuk shkonte dhe ka rritur shpejtësinë e makinës. Por një prej mjeteve të grabitësve e ka parakaluar dhe i ka bllokuar rrugën.

Nën kërcënimin e armëve, viktima nuk ka bërë rezistencë por i ka dorëzuar grabitësve makinën e tij, tip “Audi Q7” me targa “04-599 FO”.

Ai më pas e ka denoncuar grabitjen në policinë e Lezhës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet.