Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje dhe të sendeve të kundërligjshme në banesë.
Një telefonatë në sallën operative se një person në lagjen 14 në qytetin bregdetar kishte konflikt familjar, ka fundosur keq një 51-vjeçar që ishte në gjendje të dehur.
Nga burimet zyrtare mësohet se gjatë kontrollit në banesë, shtetasit I. T., i janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë dhe kallëpe me lëndë plasëse.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Policimit në Komunitet, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, pas një telefonate të marrë në Sallën Operative, se në lagjen nr. 14, Durrës, në një familje kishte konflikt familjar, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar shtetasin I. T., i cili ishte në gjendje të dehur.
Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, 3 kallëpe me lëndë plasëse, 3 radio dhënëse-marrëse dhe 1 kapsollë me 2 fije elektrike.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi I. T., 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.





