Mbrëmjen e të enjtes, emisioni “Stop” në Tv Klan paraqiti denoncimin e një qytetari nga Durrësi që thoshte se ka patur nënën e sëmurë, dyshonte se kishte ishemi cerebrale edhe Covid, të cilën e dërguar në spital dhe nuk i kanë dhënë ndihmë mjekësore.

Me anë të një videoje, denoncuesi tregonte se nënën e ka çuar në spital që në orën 21:00 në mbrëmje, por dhe pse është mëngjesi i ditës tjetër e kanë lënë të presë në korridoret e urgjencës në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Kam sjell nënën mbrëmë në orën 21:00 në Spitalin e Durrësit, ka pësuar hemorragji cerebrale dhe dyshojmë dhe për Covid. Tani është ora 11:00 dhe siç e shihni askush nuk e merr përsipër, po presim përgjigjen e tamponit që nuk e kanë bërë akoma. Se kur do e bëjnë dhe kur do vijë përgjigja, ne po rrimë në korridoret e spitalit të Durrësit”, thotë ai.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar edhe Spitali Rajonal Durrës përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook, ku sqaron se të sëmurës i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, duke përfshirë edhe testin e shpejtë për koronavirus.

Sipas njoftimit të spitalit, pacientja ndodhet e shtruar në pavionin covid ku vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

POSTIMI I PLOTË

Lidhur me akuzat për mungesë shërbimi për pacienten me inicialet Q.S., transmetuar nga emisioni investigativ STOP, Spitali i Durrësit sqaron opinionin publik si vijon:

Pacientja me inicialet Q.S., u paraqit në urgjencën e spitalit të Durrësit në orën 22:16, të datës 11.02.2021, me ankesa për dhimbje koke, e dobesi te theksuar, ndërsa familjarët referuan se pacientja kishte kaluar me herët hemoragji cerebrale.

Pasi është vizituar nga mjeku i urgjencës, pacientja ka kryer skaner koke, panelin e analizave dhe konsultë neurologu.

Mjeku ka vlerësuar nevojën e kryerjes së një tjetër skaneri, atë të mushkërive, nga ku ka rezultuar suspect covid.

Nisur nga sa më sipër, pacientja ka kryer në spital testin e shpejtë dhe më pas është shtruar në pavionin covid, ku vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Spitali Rajonal i Durrësit siguron qytetarët se stafi mjekësor është në shërbim të pacientëve, 24/7 me përkushtimin maksimal për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Lidhur me akuzat për mungesë shërbimi për pacienten me inicialet Q.S., transmetuar nga emisioni investigativ STOP,…

Posted by Spitali Rajonal Durres on Thursday, February 18, 2021