Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi ushtrueses në detyrë të Presidencës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e pavarësisë.

Meta i ka përcjellë urimet më të ngrohta vëllazërore Osmanit dhe përfitoi nga rasti të përshëndeste përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

Kreu i shtetit thotë se Shqipëria ka për të qenë gjithmonë pranë Kosovës.

Presidenti përmend edhe zgjedhjet e 14 Shkurtit ku thotë se Kosova tregoi maturi dhe pjekuri politike. “Dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre”, thotë Meta.

Ai uron që krijimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit të proceseve integruese të vendit.

Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tone.

Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.

 Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente në Detyrë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.- shkruan Meta