Politika shqiptare ka uruar përmes rrjeteve sociale 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Edi Rama, ka uruar sot shqiptarët për ditën e Pavarësisë së Kosovës ku ka publikuar një foto të veçantë të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa e cila shfaqet me flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjithashtu ka uruar në Facebbok me anë të një videomesazhi ku shprehet:
“Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës.
Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës”.
Edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar kosovën me një postim në Twiter ku shkruan:
“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Një ëndërr që për shumë breza dukej e pamundur, sot ka 13 vjet që është realitet! Nderim për të gjithë ata që punuan e luftuan për Kosovën e pavarur!”.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi Kosovën për këtë ditë të veçantë me anë të një postimi në Facebook ku shkruan:
“Sot, Kosova feston Ditën e Pavarësisë.
17 shkurti i 13 viteve më parë, kurorëzoi aspiratat shekullore të saj për liri e pavarësi, drejtësi e dinjitet njerëzor, për të cilat bënë sakrificat më sublime mijëra djem e vajza të saj.
Në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE.
Me zgjedhjet e zhvilluara pak ditë më parë, Kosova dha një shembull tjetër të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të saj. Unë besoj dhe uroj që përballimi i pandemisë, zhvillimi i mëtejshëm ekonomik e social, përparimi me agjendën e integrimit në BE, si dhe marrëveshja e normalizimit me Serbinë që ka në thelb njohjen reciproke, janë sfida që Kosova do t’i përballojë në mënyrë të suksesshme.
Gëzuar 17 shkurtin, gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës!”





