Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës Ferdinand Xhaferraj ishte sot me banorët e Hamallajt për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.

Mungesa e kanalizimeve si dhe ngritja e nivelit të oborrit të shkollës së kësaj zonë ka bërë që banesat e banorëve të përmbyten sa herë ka reshje shiu.

Ata shprehen se kanë bërë ankesa për problemin e tyre, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje deri më tani, ndonëse iu është premtuar prej shumë vitesh.

“Kemi probleme me kanalizimin e ujërave të zeza. Është bërë shkollë e re, kanë ngritur oborrin e shkollës dhe tani nga viti i ri, nga janari e këtej sa shira kanë rënë kanë kthyer mbrapsh përzier bashkë, ujërat e bardha me të zeza. Kemi bërë ankesë, asnjë gjë nuk zgjidhin. Na kanë bërë me strese, me probleme.”

“Shumë keq, e pastrojmë me kova. Gjithë natën kemi ndjenjur pa gjumë se erdhi u fut (uji) te dera e shpisë.”

“Para tre vjetësh erdhi administratori i Sukthit, Rrapo Osmani, kam biseduar gojarisht me të, i kam premtuar që do t’ i blej unë tubat, edhe kanalin, punëtorët që do ta hapin do i paguaj unë edhe më tha që s’ke për të paguar asnjë kokërr leku se atë do ta bëjmë ne të bashkisë, na ka ardh fondi. Ka tre vjet, parvjet Rrapua, vjet Rrapua, sivjet Rrapua nuk duket gjëkundi, uji po na futet brenda në shpia.”, shprehen banorët.

Xhaferraj iu tha banorëve se problemi i tyre është krejtësisht i zgjidhshëm dhe pas 25 prillit do të trajtohen me dinjitet nga shteti.

“Edhe dy muaj kanë ngelur. Në mënyrë të padiskutueshme janë probleme krejtësisht të zgjidhshme. E ka katandisur kështu mospërfillja, neglizhenca, injorimi që këta i bëjnë njerëzve.”, tha kreu i PD Durrës ndër të tjera.