Durrësi mbetet një nga qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve me SARS-CoV-2 në vend, ndaj spitali rajonal i tij u kthye në spital të dedikuar për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Drejtoresha e spitalit, Nadire Jani bëri të ditur se në këtë spital ofrohen 70 shtretër (60 në pavionin infektiv dhe 10 në urgjencë) dhe infrastrukturën e duhur dhe stafin e trajnuar për trajtimin e të sëmurëve.
“Gjatë muajve të fundit janë trajnuar stafet e pavioneve Covid dhe pa u bërë ende spital Covid është bërë pajisja me aparaturat e nevojshme, pra të gjithë shtretërit kanë infrastrukturën e duhur për trajtimin e pacientëve. Aktualisht të shtruar janë pacientët me insuficiencë respiratore dhe ata të dyshuar për Covid. Aktualisht, ka një fluks të shtuar pacientësh që mbërrijnë në spital duke kërkuar ekzaminime laboratorike dhe trajtim spitalor, për shkak të gjendjes së rënduar që paraqesin”,– tha Jani.
Drejtoresha e spitalit tha gjithashtu se stafi mjekësor dhe infermieror është i aftë ta përballojë me cilësi këtë fluks.
“Ne jemi këtu për t’iu përgjigjur çdo pacienti që do ketë nevojë.”– thotë Jani. Njëkohësisht ajo theksoi se krahas trajtimit të pacientëve me Covid, në spital vazhdohet t’i ofrohet shërbim spitalor të gjithë pacientëve që vuajnë nga patologji të tjera.
Burime nga spitali i Durrësit bëjnë me dije se kapacitetet janë thuajse të plotësuara. Pacientët që do të trajtohen në këtë spital, tashmë Covid 19, janë ata nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja të referuar nga shërbimi i mjekut të familjes apo nr 127 i urgjencës kombëtare.





