Kryeministri Edi Rama nisi sot nga gjimnazi “Ismail Qemali”, konsultimin publik me nxënësit dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama foli edhe për problemet që hasen sot në arsim siç është mungesa e laboratorëve.
“Kemi bërë shumë investime e dëgjova nga dy, tre persona këtu që laboratorët e Kimisë apo në të tjerë materiale mungojnë. Ky është problem i madh. Librat janë të një qasje tjetër ç’ishin dikur, janë libra të lidhur me orët e praktikës”, tha Rama.
Më tej kryeministri Rama foli edhe për universitetet për të cilat tha se qeveria po përpiqet të sjellë universitete të huaja në Shqipëri.
“Këto janë sfida të tjera më parë flisnim për ngrohje, klasa pa xhama, mësues të emëruar sipas orekseve të partisë, që keqpërdoreshin politikisht, libra pa lidhje fare, tani që problemet bazë janë vendosur bëhen më evidente problemet e cilësisë.
Me universitetet jemi ende prapa. Po bëjmë çmos të sjellim universitete të huaja në Shqipëri. Të gjeni këtu universitete të huaja publike. Kemi disa hapa të mirë që po bëjmë”, tha Rama.





