Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zbuluar ditën e sotme në Kuvend se Kryeministri Edi Rama nuk tregon vendimin që morën 5 shtete gjatë samitit të Sllovenisë zhvilluar ditën e djeshme.
Ai deklaroi se këto 5 shtete të BE-së kanë vendosur që të mos hapen negociatat me Shqipërinë, edhe në rast se Bullgaria e heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Kryedemokrati tha se Rama e ka katandisur Shqipërinë si Lukashenko Bjellorusinë.
“Nuk e thotë ky, në Slloveni të paktën 5 vende anëtare me peshë kanë vendosur që edhe sikur nesër Bullgaria t’ia heqë VETO-n Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat pas atij raporti sepse nuk ka në krye një Kryeministër dhe një qeveri që ka ardhur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por përmes shkrirjes në një të shtetit me partinë si Lukashenko, përmes blerjes së votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit”, deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha.





