Ka ndërruar jetë në spital, Gazment Kurmaku, kryekamarieri i Fish City në Elbasan, i cili u qëllua pak ditë më parë nga një klient.
Kurmaku nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve. Lajmi është konfirmuar nga vetë restoranti, përmes një postimi në Facebook.
Lajmi për ngjarjen ka ardhur para disa ditësh, kur kryekamarieri ishte në vdekje klinike. Ai u godit nga Erjon Llapushi, i cili është ndaluar.
“Ka dorëzuar shpirtin në prehjen e përjetësisë, Gazment Kurmaku, një nga punonjësit tanë, një nga njerëzit e përkushtuar.
Pas një aksidenti fatal dhe një beteje disaditore ai nuk ka mundur t’ia dalë, nuk ka mundur të mbetet sërish me ne, për të ndërtuar ëndrrën e përbashkët.
Lamtumirë miku ynë!
Gaz tu prehtë shpirti të paqe!
Zoti e shpërbleftë shpirtin tënd në mbretrërinë e parajsës.
Do të na mungojë gjithmonë buzëqeshja juaj, zëri dhe njerëzorja juaj që kaq shumë dha përkushtim dhe mirësi.
Familjes së Gazit, të afërmve, miqve dhe kolegëve, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Lutemi që Zoti u dhashtë forcë për të përballuar këtë ndarje të parakohshme me të dashurin e tyre.
Me shumë dhimbje dhe keqardhje i gjithë stafi i Rozafës!”,- shkruhet në njoftimin e restorantit ku punonte Kurmaku.
Ngjarja
Debati për rezervimin e një tavoline ka përfunduar në një sherr banal, ku Kurmaku u qëllua dhe aksidentua dhe përfundoi ne spital në vdekje klinike.
Erjon Llapushi kishte shkuar si klient në restorant, por 50-vjeçari që ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve e ka njoftuar se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Llapushi ka kundërshtuar dhe debati ka agravuar. Po sipas burimeve nga policia e Elbasanit, që rastin e ka njoftuar si sherr banal, Llapushi e ka goditur Gazment Kurmakun me grushte dhe sende të forta. 50-vjeçari ka rënë duke përplasur kokën me një pjesë betoni duke përfunduar në gjendje kome.