Qeveria shqiptare ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, si dhe të garantojë furnizim të pandërprerë me energji për të gjithë shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë planin për përballimin e krizës energjetike, prej ku deklaroi se ky plan parashikon tre pika thelbësore, që janë:

-Furnizimi pandërprerë për të gjithë me energji elektrike
-Mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë
-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike. 100 milionë euro për OSHEE këtë vit dhe 110 milionë euro të tjera në fillim të vitit tjetër.

Më tej, Rama theksoi se “Por, duke refuzuar kategorikisht çdo pretendim se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe duke thënë se kjo krizë mund të jetë me pasoja monetare të rënda për vendin, unë ju them: plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, bizneset e vogla. Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në verën e ardhshme. Plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhën, ndërkohë që qeveria po përgatit një konsultim kombëtar”, duke shtuar se “Këto vitet e fundit jeta për ju dhe për mua ka qenë e e përcaktuar nga ngjarjet se nga planet. Këto lënë gjurmë në mendje dhe shpirt. Dua t’u them 2 gjëra: Ndihuni mirë që ia keni dalë dhe kini besim se do ia dilni gjithmonë e më mirë”.