Shefi i kompanisë Pfizer, Albert Bourla ka mbërritur në Shqipëri, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Bourla ka ardhur në Shqipëri personalisht për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave.
Rama u shpreh se do të vijojë angazhimi i palëkundur për të siguruar vaksinat kundër Covid deri në fund të përballjes me pandeminë.
“Sot është një ditë e veçantë për procesin e vaksinimit sepse kemi nderin të mirëpresin shefin e Pfizer dhe mund të themi që është bërë mik i Shqipërisë. Ai na hapi derën në një moment të vështirë, kur nuk kishim një perspektivë të qartë. Folëm gjatë në New York edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do të zgjidhej, por na dha fjalën që do të na ndihmonte. Dua të shpreh këtu mirënjohje pafund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës të qytetarëve tanë.
“Me kënaqësinë e mikpritjes në Shqipëri të shefit të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave dhe për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer, në përmbushje të planit të vaksinimit AntiCovid dhe angazhimit tonë të palëkundur, për të siguruar vaksinat deri në fund të kësaj përballjeje”, shkruan Rama.
Nga ana tjetër Bourla tha se ishte befasuese kërkesa e kryeministrit Rama për sigurimin e vaksinës, ndërsa e falënderoi atë për miqësinë e dhënë.