Vijojnë të dalin në dritë të tjera detaje nga vdekja e mistershme e katër turistëve rusë në një hotel, në Qerret të Kavajës.
BalkanWeb raporton se drejtësia shqiptare e ka regjistruar për veprën penale të vrasjes vdekjen e turistëve.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth mesnatës të së premtes, ku katër turistët u gjetën të pajetë në pishinën dimërore të hotel “Gloria”, në Qerret, ndërsa e gjithë ngjarja vijon të jetë ‘e veshur’ me mister.
Fillimisht u tha se turistët ishin asfiksuar në sauna, apo kishin konsumuar shumë kokainë, por nga hetimet të dyja këto teori u hodhën poshtë, ndërsa si pistë kryesore mbeti ajo e asfiksisë nga klori në pishinë.
Ditën e sotme, pritet që Mjekësia Ligjore të nxjerrë ekspertizën, për të zbuluar më shumë mbi vdekjen e turistëve.
Kujtojmë se viktima mbetën çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.