Ndërkohë që hetimet për vdekjen e 4 turistëve rusë në një hotel në Qerret vazhdojnë, kjo ngjarje vijon të jetë një mister.
Ndërkohë, për mediat ruse ka folur një prej mikeshave të Sergei Burenkov, Anastatisa, e cila ka treguar versionin e saj të ngjarjes duke u shprehur se ventilimi i hotelit nuk ka funksionuar, por ngelet ende enigmë se si të katër miqtë e saj humbën jetën në një dhomë aq të madhe në të njëjtën kohë.
“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne”, është shprehur ajo, raportojnë mediat ruse.