Komisioni Evropian të martën (19 tetor) prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.
Dokumenti do të paraqitet më vonë pasdite nga Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi – autor i paketës. Paketa do të mbulojë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.
KE publikon këtë raport një herë në vit dhe tregon situatën në të gjitha fushat kryesore, ku reformat janë të nevojshme që këto vende të përparojnë në procesin e integrimit evropian.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një dokument, që si në vitet e mëparshme, paraqet një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.
Këto raporte pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisionari për zgjerim i BE-së.
Shqipëria bën përparim në gjyqësor
Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore teksa ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore, theksohet në Raportin e Progresit.
Një prej arritjeve kryesore në gjyqësor konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarëve në mënyrë që të mbajë mbledhje.
Sa i përket vetting-ut, raporti thekson se 62 për qind e rasteve që u janë nënshtruar vetting-ut kanë rezultuar ose në shkarkim apo largim nga puna.
KE-ja thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim.
Megjithatë, kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
“Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport.
KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.
KE: Kosova, pak progres në shumë fusha
Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.
Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.
Raporti tha se jostabiliteti politik dhe pandemia ndikuan në përparimin sa i përket zbatimit të agjendës së reformave evropiane të Kosovës, që sipas dokumentit ka qenë i kufizuar.
Prandaj Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane.
Raporti i Progresit për Kosovën thekson jostabilitetin politik në Kosovë. Aty përmendet edhe zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës në muajin mars, por theksohet se në pjesën më të madhe të periudhës që përfshin ky raport, ka pasur një “atmosferë polarizuese politike”.
KE-ja po ashtu vë theksin te situata në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.
Bashkimi Evropian thotë se Kosova ka disa nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, por që janë në fazë të hershme.
“Gjatë periudhës së raportimit, është bërë përparim i kufizuar, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimi i rasteve të nivelit të lartë”, thekson KE-ja. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar.
Komisioni Evropian, megjithatë tha se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka kritika për sistemin gjyqësor, pasi administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”. Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që u miratua në gusht të vitit 2021.
Por, synimet e Kosovës për të bërë vetting në gjyqësor vetëm një herë është parë me “shqetësim” nga KE-ja.
Në raport po ashtu flitet për përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në qymyr vazhdojnë të jenë shqetësuese”.
KE-ja sërish ka thënë se reforma në administratën publike është urgjente.
Serbia kritikohet për luftën kundër krimet e korrupsionit
Në raportin për Serbinë, pos vlerësimeve për kapitujt që analizon Komisioni, vend ka zënë edhe dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Sa i përket normalizimit të raporteve me Kosovën, dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka vazhduar me takimet në nivel të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik të vitit 2021 si dhe tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës që përfshin raporti, të dyja palët kanë emëruar kryenegociatorët e ri dhe ekipet negociuese” thuhet në raport.
“Serbia duhet të bëjë përpjekje tjera domethënëse për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues të raporteve me Kosovën”, shtohet në raport.
Sa i përket raporteve me vendet fqinje thuhet se “Serbia në përgjithësi ka vazhduar të jetë e përkushtuar për bashkëpunim me vendet fqinje nga procesi i zgjerimit dhe vendet e Bashkimit Evropian”. Për raportet me Malin e Zi thuhet se kanë qenë të tensionuara.
Serbia ka shënuar vetëm “përparim të kufizuar” në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problem është theksuar sidomos numri i vogël i dënimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurisë për personat e përfshirë në krim të organizuar.
Komisioni Evropian në këtë raport të progresit shprehet i shqetësuar edhe për vazhdimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe në përgjithësi me gjendjen e lirisë së shprehjes.
Raporti i Progresit konstaton se sjellja e Serbisë në përshtatje të qëndrimeve me BE-në në politikën e jashtme mbetet e pandryshuar.
“Një numër veprimesh të Serbisë kanë shkuar kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme. Ne vitin 2020 përshtatja e Serbisë me deklaratat relevante të Përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së dhe vendimet e Këshillit ka qenë 56 për qind, por është rritur në vitin 2021 në 61 për qind”, thuhet në raport.
Serbia e ka statusin e vendit kandidat nga viti 2012, ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, por deri tash ka hapur vetëm 18 nga gjithsej 35 kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy. Në kapitullin 25 për Serbinë është vendosur edhe kushti për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën.
Edhe në këtë raport përsëritet se “dinamika e përgjithshme e negociatave do ta vazhdojë të varet në veçanti nga dinamika e reformave në sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve të Serbisë me Kosovën.
KE: Maqedonia e Veriut e përkushtuar për ta forcuar sundimin e ligjit
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian thotë se Shkupi ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit përmes disa politikave kyçe dhe ligjeve. KE-ja vlerëson se kur kanë qenë në pyetje ligjet e lidhura me BE-në, ato kanë kaluar në parlament edhe me mbështetjen e opozitës.
Sa i përket administratës publike – që në të kaluarën ka qenë një prej kritikave kyçe të BE-së – KE-ja thotë se është bërë përparim në finalizimin e rishikimit funksional në administratën publike, por duhet bërë më shumë punë, veçanërisht në punësimin e njerëzve në administratë në bazë të meritave dhe jo për shkak të nepotizmit apo ndikimeve politike.
Përparim është shënuar edhe në gjyqësi ku përmendet zbatimi i strategjisë së gjyqësorit, duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Progres po ashtu thuhet se është shënuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe luftimit të terrorizmit, megjithatë kërkohet ende të punohet në këtë drejtim.
Maqedonia e Veriut, si shtet që po pret të nisë bisedimet me BE-në, në raport thuhet se këtë vit ka bërë përparim sa i përket sektorit të energjisë, veçanërisht në zbatimin e agjendës së gjelbër për të cilën, shtetet e Ballkanit Perëndimor u pajtuan gjatë Samitit të Sofjes në dhjetor të vitit 2020.
Shqetësime për tensionet politike në Mal të Zi
Në pjesën për Malin e Zi në Raportin e Progresit, vend kyç zënë tensionet dhe mosbesimi ndërmjet aktorëve politikë. KE-ja thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë prezentë gjatë tërë vitit 2020 u intensifikua më shumë pas zgjedhjeve.
“Mungesa e angazhimit konstruktiv të të gjithë aktorëve parlamentarë ka parandaluar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik”, thuhet në raport, ku përmendet edhe bojkotimi i seancave parlamentare të deputetëve të shumicës më 2021.
Raporti thekson se Parlamenti në Mal të Zi duhet të dëshmojë se është i përkushtuar në agjendën e reformave evropiane.
Po ashtu, raporti thekson se ky shtet ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksohet se nuk është shënuar përparim sa i përket reformave kyçe gjyqësore.
Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj radhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo.
Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtet edhe ndihmën që e ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.
Pasi integrimi në BE konsiderohet si synim strategjik, Bashkimi Evropian nga të gjitha shtetet e përfshira në këtë paketë kërkon që të mbështesin edhe qëndrimet evropiane në politikën e jashtme.
Komisioni Evropian, sipas drafteve të raporteve që do të miratohen të martën, do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.
Po ashtu do të ritheksojë se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.
Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, vend ky ku po vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet edhe kriza në Mal të Zi si dhe tensionimi i raporteve të këtij shteti me Serbinë.
Komisioni Evropian kësaj radhe në këto raporte flet edhe për avancimin e vendeve të rajonit drejt politikave të BE-së në fushën e ruajtjes së mjedisit, energjisë dhe disa fusha tjera./REL