Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për çeljen e negociatave me BE-në. Kështu thuhet në progres raportin e paketës së zgjerimit. “News24” dhe “BalkanWeb” ka zbardhur raportin në fjalë, ku thuhet se është vazhduar zbatimi i reformave. Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore teksa ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore, theksohet në Raportin e Progresit.

Një prej arritjeve kryesore në gjyqësor konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarëve në mënyrë që të mbajë mbledhje. “Gjykata Kushtetuese ka filluar të ushtrojë plotësisht funksionet. Progresi vazhdoi edhe në emërimet në Gjykatën e Lartë. Vettingu ka avancuar në mënyrë të qëndrueshme dhe po jep rezultate të prekshme”, thuhet në raport.

Sa i përket vetting-ut, raporti thekson se 62 për qind e rasteve që u janë nënshtruar vetting-ut kanë rezultuar ose në shkarkim apo largim nga puna.

KE-ja thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim. Megjithatë, kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport. KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.