Procedohen penalisht për organizimin e grumbullimeve dhe manifestime të paligjshme 2 drejtueset e larta të LSI Durrës. 

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” shtetaset Elona Guri, 38 vjeçe banuese në Tiranë dhe Kontjana Kuçi, 35 vjeçe, banuese në Durrës”, – njofton policia.

Sipas policisë së Durrësit, “Këto shtetase më datë 12.02.2021, rreth orës 16:00, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë organizuar një tubim të paligjshëm, pa lejen e organeve kompetente dhe në kundërshtim me Aktin Normativ nr.3, datë 15.08 2020, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19″”.

Një ditë më parë drejtuesja politike e LSI-së për qarkun Durrës, Elona Guri publikoi një foto nga komisariati i policisë, ndërsa shkruante se është proceduar pasi ngriti zërin kundër vendimit të padrejtë të Policisë së Shtetit për gjobitjen e Abdulla Deliallisit, kreut të shoqatës “Durrësi Autokton” me 5.000.000 lekë.