Dita e shtunë do të sjellë uljen e ndjeshme të temperaturave në vendin tonë. Ndërsa paradite dëbora do të bjerë në zonat malore, gjatë pasdites së të shtunës do të regjistrohet një tjetër rënie e theksuar temperaturash në gjithë vendin duke zgjeruar zonën e shfaqjes së dëborës edhe në zonën e ulët veriperëndimore.
Sipas Meteoalb, mbrëmjen e së shtunës dhe deri mëngjesin e së dielës pritet të shfaqen flokë dëbore në Durrës.
“Mbrëmja e së shtunës deri mëngjesin e së dielës, sjell dëborën edhe në Tiranë, Elbasan, Berat ndërsa flokë dëbore shfaqen në Durrës, Fier dhe brigjet e Jonit por mundësi më të ulët për dëborë paraqesin Vlora dhe Saranda”,– shkruan Meteoalb.
Nëse ky parashikim do të vërtetohet, reshjet e dëborës pritet të rikthehen në qytetin bregdetar, pasi kishin munguar gjatë vitit 2020.
Në ndryshim nga vitet 2018 dhe 2019, kur qyteti i Durrësit regjistroi dy vite rresht reshje dëbore në muajin shkurt, vitin e kaluar ato munguan.
Sinoptikanët kanë parashikuar një fundjavë shumë të fortë, ndërkohë që dhe java e ardhshme pritet të jetë e acartë, me temperature që mund të presin deri në 16 gradë nën zero në zonat malore.





