Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është mes të arrestuarve me urdhër të SPAK paraditen e sotme në Gjykatën e Krujës. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kishte nisur hetimet për gjyqtaren që u përfol shumë për vendimet e dhëna.

Sipas raportit hetimor të ILD, gjyqtarja e Krujës ka dhënë 6 vendime në harkun kohor të maj 2017- nëntor 2019 që përbëjnë akte që diskreditojnë figurën e gjyqtarit, ndërkohë që në kërkesë thuhet edhe se gjyqtarja ka zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njënashme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penale. 

Hoxha është gjyqtarja që firmosi lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Po ashtu Hoxha ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Pasi liroi nga burgu Endrit doklen, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi pezullimin nga detyra të gjykatëses.