Arkeologu i njohur Vangjel Toçi është nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga presidenti Ilir Meta.

Kreu i Shtetit ishte i pranishëm sot në Durrës, në aktivitetin e organizuar me rastin e 30-vjetorit të krijimit të shoqatës “Durrësi”, gjatë të cilës nderoi edhe arkeologun e mirënjohur, që zbuloi amfiteatrin e qytetit, mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, ngriti bibliotekën e qytetit etj.

“Arkeologu i mirënjohur durrsak, Profesor Vangjel Toçi është një personalitet emblematik i kulturës shqiptare, të cilit do t’i jemi përherë mirënjohës për zbulimet e jashtëzakonshme në ndriçimin e identitetit kulturor dhe qytetërimit tonë të lashtë.

Do të mjaftonte zbulimi i dy prej monumenteve arkeologjike më të rëndësishme si, Amfiteatri antik i Durrësit e mozaiku ‘Bukuroshja e Durrësit’ për ta bërë të përjetshëm kujtimin e tij.

Ndaj në kuadër të kremtimit të 30-vjetorit të Shoqatës “Durrësi”, pata sot kënaqësinë të vlerësoja, në qytetin e tij të lindjes, Profesor Vangjel Toçin, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Puna shkencore dhe vepra e këtij personaliteti të madh tingëllojnë këmbanë alarmi për zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare, veçanërisht kur betonizimi i pasurisë arkeologjike po vret botën antike të Durrësit dhe jo vetëm.

Nderimi më i madh, që mund t’i bëjmë këtyre personaliteteve është mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme kulturore”,- shkruan Meta.

Vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, arkeologu i njohur u nderua nga bashkia Durrës me titullin “Qytetar Nderi”.