Qyteti i Durrësit gjithsej ka 6.3 kilometra rrugë të dedikuar biçikletave. Njëra prej korsive ndodhet në rrugën “Pavarësia” që përshkon mes për mes “zemrën” turistike të qytetit bregdetar.

Realizimi i projektit për korsitë e biçikletave, ndriçimit dhe gjelbërimit me gjatësi 4.2 kilometra i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1.6 milionë euro. Por, përdoruesit e biçikletave shpesh herë ngrejnë shqetësimin që rruga është pa standarte.

“Problemi është se kjo rrugë është e shtruar me pllaka dhe biçikletat amortizohen duke pedaluar në këtë rrugë. Së dyti ka shumë puseta të hapura, mungesa e sinjalistikës që janë burim për aksidente.”- thotë Elda, përdoruese e biçikletës.

Edhe vetë arkitektët tregojnë që rruga e dedikuar për korsi biçikletash në rrugën “Pavarësia” ka problematika të ndryshme.

“Materializimi i gabuar duke filluar që nga shtrimi, mungesa e sinjalistikës, mosllogaritja mirë e një korsie për dy biçikleta sjell probleme për përdoruesit e biçikletave”.-thotë “urban design”, Erind Cami.

Ndërsa, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti abuzime në rrugët e biçikletave duke filluar që nga mungesa e oponencës teknike, si dhe një sërë shkeljesh të tjera të pakryera megjithëse ishin paguar.

Korsia tjetër dedikuar përdoruesve të biçikletave është rruga afër Portit të Durrësit. Problematika shfaq dhe kjo rrugë sipas përdoruesve të biçikletave.

“Kjo rrugë është ndërtuar për përdoruesit e biçikletave në shumicën e kohës ecin këmbësorët, sepse në të mungojnë shenja dalluese dhe horizontale për biçikletat.”-shprehet drejtuesi i projektit Xheni Shtemari,përfaqësues i grupimit “Bicycle Durrës”.

Rrugët e biçikletave duket se janë përndjekur nga abuzimet me fondet publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se edhe në rrugën e re paralel me murin e portit nuk është kryer oponenca teknike si dhe një sërë shkeljesh të tjera që lidhen me punime të parealizuara megjithesë ishin paguar.

Sipas projektit me vlerë 1.9 milionë euro ishin parashikuar të ndërtoheshin pista biçikletash në të dy anët e rrugës me vlerë punimesh 88 mijë euro. Ndërkohë sot u realizuan vetëm në njërën anë, megjithëse vlera e punimeve gati u dyfishua duke shkuar në 156 mijë euro. 

Ndërkohë “Bicycle Durrës” në kuadër të projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt”, mbështetur nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC i ka kërkuar Bashkisë Durrës që të ndërtohen korsi biçikletash me standarte si dhe në investimet e reja publike të ndërtohen korsi dedikuar përdoruesve të biçikletave.