Një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të ketë shtrëngim masash për parandalimin e përhapjes së Covid-19, policia e Durrësit ka shtuar kontrollet nëpër qytet për personat që nuk zbatojnë rregullat.

Paraditen e sotme efektivët e policisë, të cilët shoqërohen edhe nga punonjës të Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror kanë këshilluar dhe vendosur gjoba për qytetarët që nuk mbajnë maskë.

Kujtojmë që një ditë më parë u shënuar një rekord i ri infektimesh me koronavirus në vendin tonë, ku rezultuan pozitivë plot 1239 persona, 84 raste nga të cilat u regjistruan në Durrës.

Gjatë dy ditëve të fundit në qytetin bregdetar u shënuan rreth 230 raste të reja ndërsa në rang qarku numërohen plot 1800 persona të infektuar.

Sot pritet të merret një vendim i ri për masat e reja në Komitetin Teknik të Ekspertëve pas shtimit të infektimeve me virusin vdekjeprurës.

Mediat raportonin një natë më parë se ekspertët do të propozojnë që shtetrrethimi të fillojë që në orën 20.00 deri në orën 06.00 si dhe do të ketë kufizime për baret dhe restorantet në ambientet e brendshme.