Pas Karavastasë është mbyllur gara për parkun fotovoltaik të Spitallës. Zv.ministri i Energjetikës Gjergj Simaku thotë se janë përzgjedhur 5 kompani nga të cilat pritet të shpallet fituesi brenda 20 marsit.
“Erdhën 25 aplikime dhe u bë selektim. Ju e dini që pandemia zgjati dhe dje janë hapur zarfet për 5 kompani të cilat mendoj se plotësojnë kushtet ato kanë aplikuar bile për çështjet e pandemisë i është lënë dh enjë periudhë të cilat do të shqyrtohen nga grupi o punës ku unë jam kryetar”, tha Simaku.
Parku Fotovoltaik shtrihet në një sipërfaqe prej 120 ha dhe do të prodhojë fuqi maksimale 100 megavat nga të cilat 70 megavat do të blihen nga OSHEE dhe 30 megavat do të shiten në treg të lirë nga prodhuesi.
“Në Spitallë duhet të gjykojmë ndryshe për arsye se ne bëmë një lëvizje në këtë drejtim me qëllim që të ngushtojmë pjesën e tregut të lirë dhe të shtojmë pjesën e tregut që do ta blinte, çka do të thotë ne Spitallën e kemi ndarë në dy pjesë: një pjesë 70 mega që do të jetë për tregun shqiptar dhe 30 mega që do të jetë për tregun e lirë. Tashmë ndryshimi i këtyre raporteve do të sjellë çmime të tjera dhe vetë voltalia besoj do të mendojë ndryshe”, shprehet ai.
Zv.ministri Simaku thotë se kriteret për çmimin nuk janë vendosur ende por po shihet mundësia e çmimit tavan 55 euro.
“Lidhur me çmimin tavan ne kemi organizuar dy gara brenda të njëjtit vit dhe nuk do kishte sens të tërhiqeshim me 55 euro. Për ne është një çmim I arsyeshëm që do të ndodhë brenda një tregu të liberalizuar”, tha Simaku.
Sipërfaqja ku do të ndërtohet parku fotovoltaik është 120.85 hektarë dhe ka akses të mirë infrastrukturor. /BW





