Në bashkëbisedimin e kryeministrit Edi Rama me qytetarë të Durrësit ishte e pranishme edhe kryebashkiakja në detyrë Emiriana Sako. E pyetur lidhur me privatizimin e shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave të qytetit, Sako sqaroi se nuk bëhet fjalë për një koncesion. Ajo shpjegoi edhe faktin sepse bashkia ka planifikuar të shpenzojë këtë vit 200 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e varrezave.

Sako tha se synohet të përzgjidhet një subjekt që plotëson kriteret e tenderit dhe kontrata me të do të jetë afatshkurtër, për të gjykuar më pas ecurinë e këtij procesi.

“Ky projekt nuk ndikon financiarisht. Qytetarët e Durrësit do të paguajnë të njëjtën faturë që kanë paguar që në 1991. Kemi parashikuar një investim me buxhetin e bashkisë në zonën e varrezave, i cili nuk ka lidhje me këtë shërbim por është një shërbim që do të përmirësojë infrastrukturën. Do të vendosim një pikë se ku njerëzit të bëjnë ndalesën e fundit para se të përcjellin të afërmit e tyre. Situata e rrëshqitjes së dherave është një fenomen, i cili ka ndodhur ditët e fundit nga reshjet e shumta që ka pasur qyteti i Durrësit. Jemi duke punuar me ndërmarrjet që kemi në varësi që ta kthejmë atë në normalitet.

Bashkia e Durrësit i ka të gjitha shërbimet publike. Nuk ka asnjë shërbim me sipërmarrje. Mendojmë që ka vend për përmirësim të këtyre shërbimeve dhe pikërisht për këtë arsye kemi zgjedhur që të bëjmë një garë të hapur për të përzgjedhur një subjekt që do të plotësojë kriteret për të kryer këtë aktivitet me një kontratë afatshkurtër, të rinovueshme çdo vit, në mënyrë që të kemi mundësi ta monitorojmë dhe të shohim si do të shkojë ky proces”,- tha Sako.