Qeveria italiane po përballet me një presion të fortë nga guvernatorët dhe shkencëtarët për të shtrënguar sistemin e certifikatave shëndetësore të Green Pass COVID-19, veçanërisht në lidhje me të pavaksinuarit, në mënyrë që të luftojë rritjen e niveleve të infektimit.

Për këtë arsye po diskutohet për futjen e një ‘Super Green Pass’, e cila do t’u jepej vetëm të vaksinuarve dhe të shëruarve që do të arrijë me shumë gjasa në dhjetor, njoftoi ministri i Administratës Publike, Renato Brunetta.

 “Ne marrim vendimet që duhen për të garantuar lirinë e atyre që kanë kryer detyrën e tyre si qytetarë duke u vaksinuar”, përsëriti sot guvernatori i Ligurias, Xhovani Toti, duke i kërkuar qeverisë të “veprojë”.

“Unë mendoj se njerëzit që janë të vaksinuar duhet të kenë një rrugë preferenciale në ato vende të jetës shoqërore dhe kulturore në veçanti” tha Guvernatori i Emilia-Romagna, Stefano Bonaçini, i cili doli në mbështetje të propozimit.

Aktualisht është e nevojshme për të bërë një shumëllojshmëri të gjerë aktivitetesh në Itali, duke përfshirë aksesin në kinema, teatro dhe ambiente sportive, për të udhëtuar me trena ndër-rajonalë dhe fluturime të brendshme, për t’u ulur në tavolina brenda bareve dhe restoranteve dhe për të hyrë në vendet e punës.

Qeveria po punon, gjithashtu, në fronte të tjera të nxehta, përfshirë vaksinimin e detyrueshëm për disa kategori, kryesisht mjekët, mësuesit dhe forcat e rendit, si edhe reduktimin e kohëzgjatjes së tamponëve dhe Green pass.