Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, 8 gusht, në portin e Nju Jorkut, ku një varkë është përmbysur pranë Liberty Island, ishullit ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Nga ngjarja kanë humbur jetën dy persona, një grua dhe një foshnjë vetëm pesë muajshe. Lajmi është bërë i ditur nga policia amerikane, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Pas përmbysjes së varkës, shërbimet e emergjencës janë njoftuar përmes numrit 911. Në vendngjarje janë dërguar zhytës dhe disa ekipe ajrore të policisë për të kërkuar personat që ndodheshin në bord.
Gjatë operacionit të shpëtimit, ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin të gjallë 12 persona.
Më vonë, në ujë janë gjetur edhe trupat e gruas dhe foshnjës pesë muajshe. Të dy u transportuan në spital, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
Shkaqet e incidentit ende nuk janë përcaktuar. Roja Bregdetare amerikane ka nisur hetimet, ndërsa në vendngjarje ndodhen hetuesit që po marrin në pyetje kapitenin e varkës.





