Një 22-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Tiranës, teksa po tentonte të kryente vjedhje në zyrat e UKT-së.
Mësohet se i riu Kristi Çinari ishte shpallur në kërkim për dy vjedhje nën kërcënimin e armës.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me dhunë apo me armë, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit K. Ç., 22 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 4, si autor i dyshuar për vjedhjen e një filiali të një institucioni për dhenie kredie, për vjedhjen e një farmacie, si dhe për tentativë vjedhje të një pike UKT-je, konkretisht:
I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në filialin e një institucioni për dhenie kredie, ngjarje e ndodhur më datë 23.01.2021, rreth orës 13:40, në rrugën “Bardhyl”;
I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në një farmaci, ngjarje e ndodhur me datë 21.01.2021, në bulevardin Zhan D’ark.
I tentativës për vjedhje të zyrave të UKT-së, ngjarje e ndodhur më datë 08.02.2021, në rrugën “Sitko Çiço”;
Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan një pistoletë çakmak, e cila është përdorur për kryerjen e vjedhjeve(fiksuar nga kamerat e sigurisë), dokumente të ndryshme dhe një kartë identiteti e shtetit kosovar, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja” e mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.





