Policia italiane arrestoi një 43-vjeçar shqiptar me inicialet A.K. si të dyshuar për vrasjen me thikë dje në Milano të Luljeta Heshtës, 47-vjeçare nga Peqini. Një nga pistat që po hetohet si shkak që mund të ketë sjellë debatin dhe më pas vrasjen është xhelozia, raporton “La Repubblica”.

Gjatë marrjes në pyetje, burri pranoi se kishte debatuar me partneren e tij në ditët e mëparshme për arsye xhelozie, sepse ai dyshonte se ajo kishte një të dashur.

Në skenën e rindërtuar të krimit nga grupi hetimor në Itali, theksohet se fillimisht ka pasur një sherr mes tyre, që degradoi në grushte dhe shkelma nga autori kundër 47-vjeçares shqiptare që punonte si prostitutë. Më pas e qëlloi me thikë 5 herë duke e lënë të vdekur.

Sidoqoftë, 43-vjeçari mohoi që të ishte i përfshirë në vrasje dhe që të kishte qenë në zonën ku ndodhi krimi. Por qelizat telefonike afër vendit të krimit rrëzuan alibinë e tij.