Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ishte sot në Durrës, ku ndoqi nga afër restaurimin e Kullës C, të dëmtuar nga tërmeti.
Por krahas inspektimit që i bëri punimeve dhe momentit kur ndoqi live ngritjen me vinç të bllokut 24 tonësh dhe sistemimin e tij në strukturën e murit rrethues, ambasadorja amerikane tërhoqi vëmendjen me dy detaje mjaft interesante.
I pari lidhej me veshjen e ambasadores. Ajo kishte zgjedhur të vishte një pallto, gjysma e së cilës ishte me figurën e “Bukuroshes së Durrësit”, mozaikut të famshëm, të zbuluar në qytetin bregdetar.

I dyti lidhej me reagimin e saj në momentin kur homologia e saj suedeze po mbante fjalën e rastit.
Ambasadorja Elsa Hastad po lagej nën shi, por kjo zgati vetëm pak sekonda, pasi homologia e saj amerikane shkoi pranë saj dhe po i mbante çadrën.
Vetëm në ato momente, stafi shqiptar që shoqëronte dy diplomatet e huaja u kujtua se duhet të vepronte…





