Kuvendi i PD-së më 11 Dhjetor do të zhvillohet në Air Albania. Lajmin e bëri të ditur Sali Berisha gjatë homazheve që iu mbajtën në shtatoren e Azem Hajdarit me rastin e 8 Dhjetorit.

Aty, Berisha tha se njerëzit do të njihen me të gjithë delegatët që kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit.

“Nga ky shesh, sheshi i historisë së madhe, ftoj të gjithë demokratët shqiptarë, ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar, ata që firmosën dhe ata që nuk kanë firmosur, të vijnë më 11 Dhjetor në Kuvendin e rithemelimit PD që do të mbahet në arenën Air Albania. Do mbahet aty sepse ne do t’u japim mundësinë shqiptarëve të njihen me çdo delegat dhe delegate që ka firmosur e do firmosë rithemelimin e PD dhe pluralizmit politik. Por do t’u japim mundësi simpatizantëve tanë, anëtarëve tanë që nuk janë delegatë, që me dëshirën e tyre të vijën të ndjekin këtë ngjarje madhështore të dhjetorit të ri: Shpëtimin e PD dhe të pluralizmit në Shqipëri”, tha Berisha.