Kryeministri Edi Rama ka reaguar për takimin që pati sot në zyrën e tij me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në ndryshim nga theksi që i vuri takimit ambasada amerikane, për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit, Rama nuk e përmend fare këtë temë, por ndalet te procesi i Ballkanit të Hapur, që sipas tij mbështetet dhe nga presidenti Joe Biden.
“Kryeministria – Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht“, shkruan Rama në postimin e tij.
Gjatë ditës së sotme Escobar u ndal në vizitë zyrtare në vendin tonë, ku fillimisht takoi kreun e PD-së Lulzim Basha, pas tij ministren e jashtme Olta Xhaçka, dhe në fund kryeministrin Edi Rama.
Escobar nuk dha ndonjë deklaratë të përbashkët me Ramën, dhe u mjaftua vetëm me një komunikim të shkurtër nga selia e Partisë Demokratike, ku ftoi edhe publikisht Lulzim Bashën për një vizitë në Uashington.
Escobar tha se SHBA mbështesin Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë, ndërkohë që mesazhet e tij janë edhe një paralajmërim për atë që do të ndodhë të shtunën në vendin tonë, ku ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë Kuvendin e PD-së.





