Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, sqaroi deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se ai ka darkuar me kreun e PD, Lulzim Basha, ku i pranishëm sipas ish-liderit demokrat, ka qenë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Në një konferencë për mediat, Balla i ka hedhur poshtë këto akuza, duke u shprehur se kjo është një tjetër shpifje dhe mashtrim i Berishës.
Sipas Ballës, ish-lideri i PD-së prej 30 vitesh vijon me trillime dhe keqpërdor fatkeqësi familjare në interesin e tij.
“Unë dua të sqaroj që asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një darkë me zotin Basha. Ajo që është thënë nga Sali Berisha është një rishfaqje e 30 vjetëve të Sali Berishës i cili vetëm me gënjeshtra shpifje dhe mashtrime ka lënë trashëgiminë e vetë politike. Është e pakuptuimtë për Shqipërinë që një person non grata të marrë vëmendjen publike. SHBA, shpalljen non-grata e kanë bërë si nevojë për të çliruar PD-në dhe Shqipërinë nga gjithë negativitieti i Sali Berishës në këto 30 vite.
Si një politikan që beson tek roli i pazëvendësueshëm tek SHBA, jo vetëm që e kam përshëndetur shpalljen nongrata të Berishës, por mendoj se drejtësia në vendin tonë duhet të vijojë hetimet ndaj këtij individi. Që mendon se vetëm me shpifje, keqpërdorimin e fatkeqësive familjare të shumë viteve.
Rasti në fjalë ka qenë në një vizitë në familjen e një miku të vyer, kemi rastisur me shumë njerëz të tjerë. Kam rastisur me njerëz të rreshtuar krah Sali Berishës. Nekrofilia e ka shoqëruar Sali Berishën gjatë këtyre viteve. Janë të shumta rastet në këto 30 vite ku Berisha ka mohuar lidhjen familjare me persona që kanë humbur jetën në tragjedi, si në rastin e Gërdecit. E ndjeja të nevojshme ta sqaroja, unë me Bashën jam në një gjyq për shpifje. I vetmi takimi im me Bashën do jetë në gjyq” – tha Balla.





