Një 33-vjeçar shqiptar, i quajtur Saimir Sula, i cili kishte shkuar për mjekim në Spanjë, dyshohet se në spitalin e Barcelonës i kanë hequr zemrën.
Denoncimi tronditës është bërë nga motra e tij dhe lajmi publikohet nga “Report tv”.
Sula jetonte në Spanjë me motrën e tij. Në maj 2020, ai shkoi për test COVID-i dhe rezultoi negativ pasditen e 8 majit 2020, Saimiri kishte temperaturë dhe shkoi në spital. Atje i thanë se nuk kishte koronavirus, pasi testi doli negativ, megjithatë ai qëndroi në spital.
Në dosjen hetimore, zbulohet se ai i ka shkruar motrës mesazhe të dhimbshme si, “hajde më merrni, po më marrin frymën, po vdes”.
Ka qenë insistimi i të motrës që ka zbuluar mungesën e zemrës, pasi trupi i vëllait të saj ka mbërritur me avion nga Spanja.
“Ne qëndronim në Barcelonë, vëllai, një pasdite kishte temperaturë vetëm 38 gradë. Hyri në spital vetëm për testin COVID dhe doli negativ! Dhe nuk kaluan 24 orë, hyri në 11 të darkës dhe në orën 2 unë u paraqita. Më telefonoi dhe më tha ‘hajde më merr, se këtu po më vrasin.Unë dola negativ, por po më vrasin’, më tha.
Unë u paraqita dhe më thanë se për pak sekonda i pushoi zemra. Vëllai nuk kishte probleme me zemrën” – tha Majlinda.
Pikërisht në këtë moment, motrës së 33-vjeçarit i kanë lindur dyshime dhe siç pohon ajo ka kërkuar kartelën klinike.
“Absolutisht nuk e dija që i mungonte zemra. Nuk është e shkruar në asnjë vend që mungon zemra. U bë një autopsi nga shteti spanjoll. Kur sollën trupin në Shqipëri, ne morëm informacione se si të bëjmë një autopsi tjetër në Shqipëri. Bëmë një kërkesë për të bërë autopsinë. Ne dyshonim se kishte ndërruar jetë për arsye neglizhence. Ne sinqerisht dyshojmë, pasi vdiq pa mbushur 24 orë. Nga autopsia në Shqipëri, u konstatua se ishte mungesë organesh dhe nuk gjenin dot arsyen e mungesës së zemrës autoritetet këtu, na kanë dhënë një kopje dhe ende nuk e kam çuar në Barcelonë”-tha Majlinda Sula, motra e viktimës.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka dërguar një letërporosi në Barcelonë në kuadër të hetimit për skandalin e heqjes së zemrës së 33-vjeçarit shqiptar që u kthye i pa jetë në atdhe pa organin jetësor.
Pas nisjes së hetimeve në tetor 2020, prokurorët e çështjes në Tiranë, i kanë kërkuar homologëve të tyre spanjollë që të nisin hetimet, duke kryer verifikime në spitalin ku ka qënë i shtruar i riu.
Prokuroria e Tiranës, kërkon nga pala spanjolle, që të pyeten mjekët dhe infermierët, të cilët i kanë dhënë mjekimin Saimir Sulës, ndërkohë që kërkohet edhe informacion se në çfarë rrethanash dhe arsyesh, është vendosur heqja e zemrës së 33-vjeçarit dhe më pas dorëzimi i trupit të pajetë dhe pa zemër, tek familjarët.





