Vinçesk Piroli, 34-vjeçari të cilit iu bë atentat me armë mbrëmjen e së hënës, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje më të stabilizuar, por gjendja e rrezikut nuk ka kaluar.
Në dëshminë paraprake që ka dhënë për hetuesit, Piroli ka deklaruar se u qëllua me armë në urën e Bunës në Shkodër. Më pas, lajmëroi persona të afërm të tij që më pas e shoqëruan drejt Spitalit të Lezhës. Mësohet se Piroli i tha policisë se shkoi në Spitalin e Lezhës pasi “aty ndihej i sigurt”.
Ka qenë një person që e dërgoi në spitalin e Lezhës dhe e më pas u largua. Pas ndihmës së parë në Lezhë, Piroli u transferua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar.
Policia nuk e ka identifikuar ende personin që dërgoi në spital 34-vjeçarin. Vinçesk Piroli ka marrë 3 plumba; një në shpatull dhe dy në bark.
34-vjeçari është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në Mal të Zi në korrik 2021, së bashku me një shqiptar tjetër. Të dy akuzohen nga autoritetet malazeze si të dyshuar për përfshirje në vrasje.





