Dy burra të akuzuar për një nga vjedhjet më spektakolare të artit në historinë moderne kanë zbuluar detaje të reja mbi grabitjen e bizhuterive mbretërore nga Muzeu i Luvrit në Paris.
Sipas mediave franceze ata deklaruan se ishin rekrutuar vetëm pak ditë para operacionit nga një organizator, identitetin e të cilit refuzojnë ta zbulojnë. Për pjesëmarrjen në grabitje, atyre u ishte premtuar një pagesë nga 15 mijë deri në 25 mijë euro.
Njëri prej të dyshuarve, pranoi se ishte në dijeni se objektivi ishte Muzeu i Luvrit, ndërsa bashkëpunëtori i tij, tha se besonte se po merrte pjesë në grabitjen e një dyqani bizhuterish në Paris dhe jo të muzeut më të vizituar në botë.
Sipas dëshmive, autorët hynë në Galeri rreth orës 09:30 të mëngjesit, duke përdorur një vinç të kamufluar si mjet për punime mirëmbajtjeje. Ata thyen vitrinat me mjete elektrike dhe përfunduan grabitjen brenda vetëm tetë minutash.
Nga muzeu u vodhën tetë bizhuteri historike me një vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro, mes tyre diadema, gjerdanë, vathë dhe brosha që i përkisnin mbretëreshave dhe perandoreshave franceze. Gjatë arratisjes, Kurora e Perandoreshës Eugénie ra në tokë dhe u gjet më vonë pranë muzeut.
Të dyshuarit deklaruan se bizhuteritë e vjedhura iu dorëzuan organizatorit pak pas grabitjes, por sipas tyre ai nuk mbeti i kënaqur, pasi mendonte se mund të ishin marrë edhe më shumë sende me vlerë.
Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të zbulojë identitetin e organizatorit të dyshuar. Ata thanë para hetuesve se kanë frikë nga hakmarrja dhe se kanë marrë telefonata kërcënuese gjatë kohës që ndodheshin në paraburgim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të një prej grabitjeve më të bujshme të viteve të fundit vijojnë.





