Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Islamabad të Pakistanit, ku 14 foshnja kanë humbur jetën pas një zjarri që shpërtheu në repartin e gjinekologjisë të Pakistan Institute of Medical Sciences (PIMS).

Sipas mediave lokale, në momentin kur shpërtheu zjarri, në repart ndodheshin 15 foshnja, por vetëm një prej tyre arriti të shpëtonte.

Sipas ekipeve të shpëtimit, zjarri dyshohet se nisi pas shpërthimit të kompresorit të një kondicioneri brenda repartit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit. Një dëshmitar, i cili kishte mbesën të shtruar në spital, tha për gazetën Dawn se në ndërtesë po kryheshin punime riparimi dhe rikonstruksioni.

Pas shpërthimit të zjarrit, pacientëve iu kërkua të evakuonin menjëherë ndërtesën. Gratë që sapo kishin lindur u detyruan të zbrisnin me nxitim shkallët nga kati i dytë.

PIMS, i themeluar në vitin 1985, është spitali më i madh publik në Islamabad dhe një prej institucioneve shëndetësore më të vjetra të kryeqytetit pakistanez.

Presidenti i Senatit të Pakistanit, Syed Yousuf Raza Gilani, shprehu dhimbjen e tij për tragjedinë dhe ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Një situatë e tillë, që përfshin fëmijë, është e padurueshme”, deklaroi Gilani, duke theksuar se spitalet duhet të kenë masa të përshtatshme sigurie, sisteme funksionale kundër zjarrit dhe protokolle të qarta për emergjencat.

Ai kërkoi gjithashtu një hetim të plotë për shkaqet e zjarrit dhe paralajmëroi se çdo neglizhencë në respektimin e masave të sigurisë është e papranueshme.