Policia ka pezulluar nga detyra tre efektivë të Komisariatit të Lushnjes, pasi kanë lejuar që 36-vjeçari Sajmir Meçani, që dhunoi dhe përdhunoi gjyshen e tij 89-vjeçare dy ditë më parë, të komunikojë me qytetarë dhe gazetarë, pasi ai ka dalë nga gjykata, ku është njohur me masën e sigurisë.

“Efektivët, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë”, njoftojnë burimet zyrtare.

NJOFTIMI I PLOTË

Gjatë paradites së sotme, Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Komisariatit Lushnjë ka shoqëruar për masë sigurie në Gjykatë, shtetasin S. M., 36 vjeç, i cili dy ditë më parë dyshohet se ka dhunuar dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me gjyshen e tij.

Në përfundim të marrjes së masës së sigurisë, punonjësit e Policisë që ishin të planëzuar me shërbim për shoqërimin e 36-vjeçarit, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë.

Në lidhje me këtë shkelje, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkeljen e kryer.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj këtyre punonjësve, për shkelje të rëndë.